Identiteti i terroristit që kreu masakrën natën e ndërrimit të viteve është mësuar, të paktën sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu. Emri i tij i koduar është Abu Muslim Horasani dhe duket se ai është një “vrasës-profesionist”, në gjendje për t’i shpëtuar shërbimeve të inteligjencës.

Sipas gazetës pro-qeveritare turke “Yeni Safak”, autori i dyshuar, para se të nisej në banesën e tij në lagjen popullore dhe konservatore të Zeytinburnusë, ka ndërruar gjithsej 8 taksi, duke u përpjekur të mos lërë gjurmë mbi vendndodhjen e tij. Drejtuesit e taksive janë pyetur të gjithë pasi policia ka identifikuar targat e mjeteve. Imazhi i fundit i një telekamere të sigurisë, shfaq atentatorin në lagjen Zincirlikuyu, zonë e rëndësishme kalimi e metropolit mbi Bosfor.

Masakra e Vitit të Ri është kryer “në mënyrë jashtëzakonisht profesionale” dhe kujton sulmet e Parisit në Bataclan dhe kundër revistës “Charlie Hebdo”, – ka thënë në një intervistë për CNN turk, ministri i Çështjeve Europiane, Omer Celik. “Vrasësi, – ka shtuar ai, – është stërvitur në Lindjen e Mesme dhe ka përdorur metoda që shpërqendrojnë të gjitha teknikat moderne të agjencive ë inteligjencës”, duke vepruar i vetëm dhe pa shfrytëzuar teknologjinë.

Ndërkohë, parlamenti turk ka votuar në favor të zgjatjes edhe për 3 muaj të tjerë të gjendjes së emergjencës në vend, duke nisur që nga 19 janari. I vendosur pas grushtit të dështuar të shtetit në 15 korrik, gjendja e emergjencës e lejon qeverinë t’i japë të drejtë parlamentit të aprovojë ligje të reja dhe të kufizojë dhe pezullojë të drejtat dhe lirinë e njerëzve kur cilësohet e nevojshme.

Sipas agjencisë së shtypit “Anadolu”, deri tani 40 persona janë ndaluar në kuadër të hetimeve mbi masakrën, e cila i mori jetën 39 personave.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Turqi, qeveria identifikon vrasësin: Profesionist, si ata në Paris Turqi, qeveria identifikon vrasësin: Profesionist, si ata në Paris Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!