Ka pranuar se ka qëlluar me armë zjarri ndaj agresorit palestinez, duke menduar se mund të kishte me vete një rip me eksploziv. Por gjykatësi ka rrëzuar versionin e ushtarit izraelit Elor Azaria, i shpallur fajtor nga Gjykata Ushtarake e Tel Avivit.

Viktima, Abdel Fatah Sharif, u qëllua për vdekje në 24 mars 2016 në Hebron nga Azaria, ndërsa ishte i shtrirë në tokë, i plagosur rëndë edhe nga plumbat e qëlluar nga ushtarët e tjerë. “Goditja finale me armë zjarri ndaj tij ishte e pajustifikuar”, – ka thënë gjykatësja Maya Heller.

Ndërkohë kryeministri Benjamin Netanjahu, i cili po hetohet së fundmi pas akuzave për korrupsion, është shprehur në favor të faljes së Azarias. “Është një ditë e vështirë dhe e dhimbshme për Elor, familjen e tij, ushtarët izraelitë, prindërit e tyre dhe për qytetarët e vendit tonë”, – ka thënë Netanjahu.

I dënuar për vrasje me dashje, ushtari ishte në proces gjyqësor që prej majit të vitit të shkuar. Procedimi gjyqësor ndaj tij ka shkaktuar jo pak polemika në Izrael. Partisë e djathta i kanë siguruar Azarias të gjithë mbështetjen e tyre, pavarësisht nga dënimi i dhënë ndaj tij nga vetë krerët e forcave të armatosura izraelite.

Ajo ndaj ushtarit 20-vjeçar, ka qenë një nga proceset që kanë përçarë më shumë vendin në historinë e shtetit hebraik. Qindra manifestues të ekstremit të djathtë kanë protestuar në rrugët e Tel Avivit në mbrojtje të rreshterit të ri. Por nga ana tjetër, krerët e forcave të armatosura, kanë nënvizuar se nuk është e pranueshme të shkelen rregullat e ushtrisë duke qëlluar një person të plagosur në tokë, qoftë “edhe kur bëhet fjalën për jetën e një armiku”.

Megjithatë, vendimi i vërtetë do të depozitohet pas një muaji dhe ligji parashikon një dënim maksimal që shkon deri në 20 vjet burg.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Izrael, dënohet ushtari që vrau palestinezin, Netanjahu: Faleni! Izrael, dënohet ushtari që vrau palestinezin, Netanjahu: Faleni! Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!