Mes motit të ftohtë në Paris, policë me uniformë, ministra dhe kryebashkiaku i kryeqytetit qëndruan të heshtur jashtë zyrave të vjetra të redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, si dhe në vendet e tjera ku u shënuan viktima, teksa kurora me lule të lidhura me shirita blu, të bardhë dhe të kuq u vendosën për të përkujtuar përvjetorin e asaj masakre.

Vrasjet pa frè shokuan mbarë botën dhe paraprinë një sërë sulmesh, të cilat kontribuan pak në rënien e popullaritetit të presidentit socialist François Hollande, por thelluan tensionet edhe mes shtetit laik të Francës dhe minoritetit mysliman në vend.

Në nëntor të vitit 2015, militantë të armatosur dhe kamikazë goditën ambientet argëtuese në Paris, duke lënë 130 persona të vdekur. Vitin e kaluar, një tunizian që i kishte premtuar besnikëri Shtetit Islamik drejtoi kamionin drejt një turme njerëzish në qytetin bregdetar të Nicës, duke vrarë 86 persona të tjerë. Sulme të tjera me përmasa më të vogla përfshijnë edhe vrasjen e një prifti katolik brenda një kishe, si dhe therjen me pasojë vdekje të një polici.

Homazhet e së enjtes nisën në ambientet e vjetra të redaksisë së revistës satirike, e cila prej atëherë është larguar drejt një vendndodhjeje sekrete. Më 7 janar të vitit 2015, dy vëllezër të armatosur qëlluan për vdekje 11 persona, mes të cilëve karikaturistët dhe gazetarët më të shquar të revistës, që gjithsesi konsiderohej tejet provokuese.

Homazhe u zhvilluan edhe në vendin ku u qëllua për vdekje një polic, nga njëri prej dy agresorëve. “Charlie Hebdo”, në atë kohë një revistë e etur për fonde financiare, zyrat e së cilës ishin sulmuar edhe me bomba molotov pas publikimit të një karikature tallëse ndaj Profetit Muhamed, është përforcuar me miliona euro abonime prej atëherë, shumica e të cilave në shenjë solidariteti nga vende që nuk dinin asgjë rreth ekzistencës së saj përpara sulmit.

Dy agresorët, vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi, u vranë pas një përleshjeje me policinë dy ditë më vonë në një fabrikë stampimi në veri të Parisit. Sulmi ndaj “Charlie Hebdo” u ndoq më ditën tjetër me vrasjen e një polici praktikant nga Amedy Coulibaly, një besnik i Shtetit Islamik. Ditën e dytë të sulmeve, ai mësyri një dyqan hebre në qendër të Parisit, ku vrau 4 pengje përpara se të vritej nga policia. Në total, 17 persona humbën jetën në sulmet ndaj “Charlie Hebdo” dhe “Hyper Cacher”, sikurse edhe 3 agresorët. /Tch/

.

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Francë, homazhe për dyvjetorin e sulmeve ndaj “Charlie Hebdo” Francë, homazhe për dyvjetorin e sulmeve ndaj “Charlie Hebdo” Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!